Administrata Tatimore për 20 vjet mblodhi mbi 4 miliardë euro

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj tha se ATK-ja për 20 vjet ka mbledhur mbi 4 miliardë euro tatime dhe mbi 1 miliard euro kontribute pensionale.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka shënuar 20-vjetorin e themelimit. Në këtë përvjetor jubilar u vlerësua kontributi i ATK-së në përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit, ndërsa u dhanë lëvdata të shumta për funksionimin, avancimin dhe modernizimin e këtij institucioni shtetëror.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj tha se ATK-ja për 20 vjet ka mbledhur mbi 4 miliardë euro tatime dhe mbi 1 miliard euro kontribute pensionale.

“Si rezultat i punës profesionale ATK-ja për 20 vite ka arritur të mbledh mbi 4 miliardë e 707 euro tatime, dhe 1 miliard e 797 euro kontribute pensionale. ATK ka zhvilluar një organizim profesional’, tha ai.

Shefi i ATK-së përmendi edhe disa të arritura gjatë vitit që posa lamë pas.

“Në këtë vit ATK ka krijuar sistemin elektronik, për ATK sistemi elektronik ka reduktuar koston deklarative në të njëjtën kohë për tatimpaguesit ka kursyer kohën dhe gabimet e mundshme. Tani jemi në finalizim të realizimit të objektivave për vitin 2020- 2021”, tha Murtezaj.

Presidenti Hashim Thaçi tha se ATK-ja është ndërtuar nga zeroja dhe ka shënuar rezultate të shumta dhe më e rëndësishmja është se ATK-ja është dashur të ndërtoj besimin e qytetarëve për mbledhjen e tatimeve për shkak të përvojës së hidhur që pati me shtetin serb.

“Sot është një ditë e veçantë që shënon 20 vjetorin të themelimit të ATK-së dhe ky vendim vuri themelet e strukturës që mundëson mbledhjen e tatimeve nga të gjithë në Kosovë. ATK-ja është ndërtuar nga zeroja, kurse kanë arritur suksese kolosale sot, fillimisht bashkë me partnerët ndërkombëtarë është dashur të ndërtohet korniza ligjore, më e rëndësishme është dashur të ndërtohet besimi i qytetarëve duke pasur parasysh përvojën e hidhur me shtetin e kaluar serb”, tha ai.

Hilel Trand, nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se ATK-ja është në rrugë të mbarë për t’u modernizuar dhe se është duke luajtur një rol të rëndësishëm për qytetarët.

“ATK është në rrugën e duhur për tu bërë një ATK moderne, është një prej shtyllave kryesore në menaxhimin e të hyrave, kjo luan një rol shumë të rëndësishëm për qytetarët. Ka ende shumë punë për tu bërë, dua të thënë se BE do të jetë pran jush do të bashkëpunojë ngushtë me ne”.
Kurse , Arian Zeka nga Oda Amerikane tha se janë impresive rezultatet e ATK-së për 20 vjet, ndërsa shprehu zotimin për një partneritet të mëtejmë ndërmjet ATK-së dhe Odës Amerikane.

“Janë inpresive rezultatet e ATK-së për 20 vite për mbushjen e thesarit të vendit, dhe avancimi i partneritetit publiko-privat. Janë të shumta të arriturat që kjo organizatë ka për 20 vite si për përmirësimin e legjislacionit, ka ende shumë punë për tu bërë, në luftimin e ekonomisë joformale. Si drejtor i OEAK-ut do të shprehë zotimin për partneritet të sinqertë”. /Monitor.al