ABCom zyrtarisht kalon nën pronësinë e Vodafone Albania

Konkurrenca ka vendosur monitorim për një periudhë 1 vjeçare nga marrja e këtij vendimi, të veprimtarisë së shoqërive Vodafone Albania SHA dhe ABCom SHPK dhe i detyron të dyja të njoftojnë paraprakisht pranë Autoritetit të Konkurrencës për të gjitha ndryshimet që do të kryejnë në paketat ekzistuese dhe paketat e reja që do të hedhin në treg, gjatë periudhës së monitorimit.

Në një vendim të marrë më datë 7 Shkurt por publikuar ditën e djeshme, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të miratojë blerjen e operatorit kabllor më të madh në Shqipëri ABCom nga operatori celular më i madh në vend Vodafone Albania.

Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës qartëson:

  1. Detyrimin e shoqërisë Vodafone Albania SHA të mos abuzojë më pozitën e saj dominuese nëpërmjet :
  • Vendosjes në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të çmimeve të padrejta të tregtimit dhe detyrimin e orientimit e tyre drejt kostos së shërbimeve,
  • Vendosjes së palëve në kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta, e të pafavorshme për konkurrencën,
  • Vendosjen e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, ku këto të fundit të pranojnë detyrime shtese, të cilat nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.
  1. Detyrimin e shoqërisë Vodafone Albania SHA dhe ABCom SHPK, për ndarjen e llogarive ekonomike për shërbimet e telefonisë fikse dhe celulare, e cila do të bëjë të mundur evidentimin e burimit të gjenerimit të të ardhurave.

Konkurrenca ka vendosur monitorim për një periudhë 1 vjeçare nga marrja e këtij vendimi, të veprimtarisë së shoqërive Vodafone Albania SHA dhe ABCom SHPK dhe i detyron të dyja të njoftojnë paraprakisht pranë Autoritetit të Konkurrencës për të gjitha ndryshimet që do të kryejnë në paketat ekzistuese dhe paketat e reja që do të hedhin në treg, gjatë periudhës së monitorimit.

Konkurrenca i rekomandon AKEP, që të miratojë paraprakisht çdo paketë të re që përmban shërbime të kombinuara në tregun e telefonisë celularë, fikse dhe shërbimin e internetit. Ofruesit e paketave, duhet të deklarojnë çmimin për njësi shërbimi që këto paketa përmbajnë.

Blerja e ABCom nga Vodafone u paralajmërua që nga muaji Tetor i vitit të kaluar. Me blerjen e ABCom, Vodafone zyrtarisht hyn në tregun e telefonisë fikse duke afirmuar përkushtimin e kompanisë në Shqipëri. Ky transaksion gjithashtu do të vendosë Vodafone përballë ALBtelecom në tregun e shërbimeve fikse të cilat ky i fundit i ka dominuar sidomos atë të internetit.

ALBtelecom është ofruesi më i madh në vend i internetit fiks me 133 mijë abonentë në fund të 2019-ës sipas raportit të AKEP. Ndërkaq ABCom numëron 74 mijë abonentë në fund të 2019-ës. ALBtelecom dhe ABCom janë dy kompanitë më të mëdha në këtë sektor. ABCom ofron internet fiks dhe telefoni përmes infrastrukturës kabllore HFC (Hybrid-Fiber Coax) dhe shërbime 3-play nën markën 3n1.

Vitet e fundit kompania ka shënuar rritje të qëndrueshme dhe ka qenë një prej kompanive më të suksesshme të këtij sektori. /PCWorld Albanian