A do t’i rikthehen vizat Shqipërisë?

Rritja e numrit të emigrantëve të paligjshëm që po kalojnë nëpërmjet Shqipërisë dhe Serbisë për të kërkuar azil në BE, ka sjellë vendosjen në tavolinën e bisedimeve të propozimit për pezullimin e udhëtimit pa viza në Ballkanin Perëndimor.

Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Emilio Çika tha se dokumenti i presidencës çeke të BE që ka propozuar rikthimin e vizave për Shqipërinë dhe Serbinë, është shqetësues.

Në një intervistë për Euronews Albania, Çika u shpreh se shkaqet që çuan në këtë propozim lidhen jo vetëm me të huajt që kalojnë nëpër territorin e Shqipërisë dhe Serbisë, por edhe emigrimi i popullatës së vetë këtyre vendeve, shqetësim që ngrihet nga e gjithë BE-ja.

Eksperti tha se lajmi për mundësinë e rikthimit të vizave për Shqipërinë është lajm i keq edhe për Kosovën.

“Ky lajm është një paralajmërim edhe për Kosovën, që nuk do të liberalizohen vizat për të. Shqipëria nuk ka procese diskutimi me BE si Serbia me Kosovën, por është në negociata për përmbushjen e kapitujve për integrimin në BE”, tha Çika.