5.2 mln pasagjerë nga Rinasi – Në më pak se 9 muaj, arrihet fluksi i vitit 2022. Në treg 18 shoqëri ajrore

Fluksi i pasagjerëve që kanë udhëtuar përmes aeroportit “Nënë Tereza” ka shënuar rritje të ndjeshme, ndërkohë që sipas të dhënave të publikuara nga kompania koncesionare, deri më tani numri ka arritur në 5.2 mln.

Sipas TIA-s shifra e arritur në periudhën janar – shtator është e barabartë me atë të shënuar përgjatë gjithë vitit 2022, duke thyer kështu rekordin e vendosur vitin që shkoi. Ndërkaq, në raport me 9-mujorin e një viti më parë numërohen rreth 1.2 mln pasagjerë më shumë, duke qenë se për këtë periudhë numri i pasagjerëve që fluturuan përmes Rinasit ishte rreth 4 mln pasagjerë.

Rritja e fluksit të pasagjerëve ishte më e lartë gjatë muajve të verës, për shkak të turistëve që zgjodhën të vizitojnë Shqipërinë, teksa në javën e dytë të gushtit vendi ynë kryesoi listën e rritjes së fluksit të fluturimeve, mes shteteve që janë pjesë e rrjetit të Eurocontrol.

Sipas publikimit të këtij të fundit, përmes aeroportit “Nënë Tereza” u kryen 80% më shumë fluturime, në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019, që nuk ishte një vit pandemik.

Ndërkaq, sipas të dhënave të fundit të disponueshme, që i përkasin muajit korrik, në transportin ajror operojnë 18 shoqëri ajrore, teksa 58.44% të tregut e zotëron kompania Wizzair. Pas saj vjen kompania Air Albania me 8.27% të tregut, ndërsa në vendin e tretë është Albawings, me 7.76% të tregut ajror.

Ola Mitre / SCAN