4 mijë maturantë do të përsërisin provimet në vjeshtë

Kur shumica e maturantëve presin me ankth pranimet nga universitetet, të tjerë pritet t’i nënshtrohen sërish provimeve të maturës. 4 mijë gjimnazistë mbetës do t’i nënshtrohen provimeve të vjeshtës për të përmbyllur fillimisht shkollën e mesme, raporton A2News.

Në 26 gusht do të zhvillohet provimi i gjuhës e huaj për të vijuar me datat e tjera deri në 6 shtator. Drejtoresha e qendrës së shërbimeve arsimore tregon për A2 se vjeshta nuk do të cenojë standardin e provimeve dhe as do të ulë shkallën e vështirësisë. “Nuk ka asnjë lloj dyshimi që testi i qershorit është më i vështirë dhe i vjeshtës është më i lehtë. Tekstet kanë të njëjtin nivel të vështirësisë”, thotë ajo.

Maturantët kalues dhe me mesatare mbi 6,5 kanë shanse për të hyrë në universitete por vetëm në degët e mbetura bosh nga raundi i parë. “Nëse ata përmbushin kriterin e notës mesatare, patjetër që këta do të kenë mundësinë për të aplikuar në raundin e dytë”.

Ndërsa maturantët që edhe në vjeshtë nuk arrijnë të kalojnë duhet të presin vitin tjetër për t’iu nënshtruar sërish maturës shtetërore.