1220 hektarë tokë e përmbytur në Shkodër, uji në Obot arrin 65 centimetër

1220 hektarë tokë ndodhet aktualisht nën ujë në bashkinë e Shkodrës.

Janë 100 hektarë më shumë se një ditë më parë që janë përmbytur.

Problem mbetet në Obot, në rrugën e të cilit, uji arrin në 65 centimetër. Aty mund të kalohet vetëm me mjete të ushtrisë. Në terren janë katër forca të ushtrisë dhe një mjet i kalueshmërisë së lartë. Ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit. Në njësinë Ana e Malit është 1200 hektarë tokë e përmbytur, ndërsa në Dajç 20 hektarë tokë bujqësore është nën ujë.

Në vendin e quajtur Urrelat e Shirqit në rrugën Shirq-Darragjat ka prezence uji në rrugë 30 cm dhe për momentin rruga është e pakalueshme me mjetet e vogla.

Sipas të dhënave, niveli i lumit Drin shënon kuotën 6.10 e pandryshuar me orën 18.00 të një dite më parë, ndërkohë që kuota maksimale është 7.50 m.

Niveli i Liqenit shënon 8.45 m nga 8.70 që është kuota maksimale, me një rritje prej 20 cm me një ditë më parë.