Basha mbledh sot Kryesinë e partisë, do diskutohet për dhunën e ushtruar me 8 janar

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të hënën pasdite do të mbledhë kryesinë e partisë.

Lajmi është konfirmuar nga sekretari i përgjithshëm, Gazment Bardhi, sipas të cilit, mbledhja do ketë si rend dite “dhunën e paprecedent të ushtruar ndaj të gjithë anëtarëve të organeve të partisë dhe selisë së PD gjatë protestës së 8 janarit”.

“Sot në orën 18:30, me kërkesë të Kryetarit të Partisë, do të mblidhet Kryesia e Partisë, me rend dite “Diskutim mbi situatën e krijuar pas dhunës së paprecedent ndaj të gjithë anëtarëve të organeve të Partisë dhe selisë së PD gjatë protestës së 8 Janarit”, thuhet në mesazhin e Bardhit.

Protesta e 8 janarit u thirr nga ish-kreu i PD-së, Sali Berisha për të marrë kontrollin e selisë së partisë. Ai ka argumentuar se lideri i PD-së, Lulzim Basha është “shkarkuar” nga ky post, përmes një referendumi brendapartiak të zhvilluar dhjetorin e vitit të kaluar.

Protestuesit tentuan të hynin në selinë e PD-së, por pak orë pas nisjes së protestës, selia u rrethua nga forcat policore, të cilat me ndihmën e pompave të ujit dhe gazit lotsjellës arritën të largonin protestuesit nga oborri i selisë.

Prokuroria e kryeqytetit e rrethoi zonën si një skenë krimi dhe për disa orë oficerët e policisë gjyqësore dokumentuan aktet e dhunës.

Ndërkohë disa dhjetëra persona janë shoqëruar në komisariate gjatë orëve të pasdites.

Organizatorët e kësaj proteste, që më së shumti kishin mobilizuar të rinj dhe adoleshentë në veprimet e dhunshme, nuk shprehën ndonjë distancim nga dhuna e ushtruar ndaj selisë së PD-së, madje pohuan se do të protestojnë përsëri.

Ata u larguan duke lënë pa asnjë derë e dritare selinë qendrore të Partisë Demokratike, që ata e quajnë shtëpia e lirisë dhe e demokracisë, pasi e goditën me të gjithë sendet e forta, pajisje hekurthyese nga më të ndryshmet.

Diplomatët amerikanë, evropianë dhe OSBE dënuan dhunën dhe u kërkuan organizatorëve të ulin tensionet e protestës.

rotesta e të shtunës shënoi kulmin e një lëvizje që Berisha ndërmori ndaj kryetarit Basha, pas vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë grupit parlamentar, për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara që e shpallën non grata ish-kryeministrin.