Shqipëria nis mandatin në OKB/ Për dy vjet do jetë anëtare e këshillit të sigurimit, do lobohet për Kosovën

Nga sot për herë të parë në histori Shqipëria bëhet anëtare jo e përhershme në këshillin e Sigurimit të OKB.

Vendi ynë mori mbi dy të tretat e votave në 11 qershor për një mandat dy vjeçar, pas 65 vitesh anëtarësim.

Këshilli i sigurimit ka 15 anëtarë, ku SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina janë 5 anëtare të përhershme ndërsa 10 vendet e tjera anëtare një prej të cilave tani është dhe Shqipëria kanë mandat dy vjeçar.

Ministrja e jashtme olta Xhaçka tha se prioritet kryesor i mandatit do të jetë lobimi për Kosovën:

“Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë. Duke filluar nga vëllezërit e motrat tona në Kosovë sepse padyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë. Do të punojmë për shqiptarët, por do të punojmë edhe për rajonin tonë për të konsoliduar arritjet e dekadave të fundit e për mos ta lënë atë të rrëshqasë drejt destabilizimit e tensioneve”.

Një mesazh urimi për këtë arritje ka ardhur edhe nga SHBA-të, të cilat shprehen se mezi presin për të bashkëpunuar me Shqipërinë në lidhje me sfidat më të ngutshme me të cilat bota po përballet.