Reshje të mëdha bore në juglindje, probleme me energjinë elektrike

Disa zona në juglindje kanë hasur probleme, pasi prej dy ditësh janë përfshirë nga reshjet e dëborës.

Si pasojë e reshjeve të shumta në segmentin e Dardhës trashësia e dëborës ka shkuar deri ne 70 centimetër, ku pavarësisht punës dhe mirëmbajtjes së rrugës, mjetet e vogla gjatë paradites duhet të jenë të pajisura me zinxhirë.

Dëbora në Voskopojë dhe Qafën e Qarrit varion nga 5-15 centimetra, andaj nuk ka probleme me kalimin e mjeteve në këto zona.

Probleme me energjinë elektrike vijon të ketë në territorin e Bashkisë Maliq pasi reshjet janë shoqëruar edhe me erë të fortë. Mungesë të energjisë ka në Gorë, Moglicë, Kolanec, Zboqëri ndërsa mësohet se grupet e punës ndodhen në terren për të rikthyer energjinë.

Devolli i Sipërm vuan gjithashtu mungesën e energjisë elektrike, konkretisht në Ziçisht, Miras, Poncare, Nikolicë, Sinicë, Poloskë.

Ndërkohë në Pogradec prej 48 orësh janë pa drita dy njësi administrative Dardhas dhe Trebinjë dhe 6 fshatra në njësinë Proptisht. OSSHE thotë se është duke punuar por në asnjë nga tre njësitë energjia nuk është kthyer deri më tani.

Ka pasur dhe rrëshqitje dherash në fshatin Zall Torrë dhe po merren masa për hapjen e rrugës.

Akset nacionale aktualisht janë të hapura dhe nuk paraqiten probleme me përjashtim të disa rrugëve dytësore rurale në të cilat mund të qarkullohet vetëm me zinxhirë.

Këshillohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.