Kurti: Serbia, një “Rusi e vogël”, me mua i ngeci “sharra në gozhdë”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh në një intervistë për “Pobjeda”, se ndaj vendeve që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë, Serbia po sillet në mënyrë paternaliste dhe hegjemoniste, tamam si një “Rusi e vogël”.

Serbia në Ballkanin Perëndimor po sillet si Rusia me fqinjët e saj: entitetin boshnjak-hercegovinas Republika Srpska po përpiqet ta shndërrojë në Bjellorusi dhe Malin e Zi në Ukrainë.

Në thelb, Serbia nuk e njeh shtetësinë e vendeve jashtë BE-së – Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, madje edhe Maqedoninë e Veriut.

Përkundrazi:  ajo këto shtete i konsideron si të përkohshme dhe angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj për të shkatërruar shtetësinë e tyre”, tha Kurti.

Sipas tij, për shkak të “mosmarrëveshjeve” tradicionale të cilat janë përshkallëzuar muajt e fundit, në qarqet politike dhe mediale perëndimore, rajoni ynë trajtohet sërish sikurse në vitet 1990 – si një fuçi baruti.

Shkaku i të gjitha konflikteve sipas tij është Serbia dhe politika e saj e ndërhyrjes pak a shumë të hapur në punët e brendshme të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai kujtoi se tani nuk përmendet më shkëmbimi i territoreve.

Që nga momenti që jam unë kryeministër, Aleksandar Vuçiç nuk e përmend më demarkacionin me shqiptarët dhe zgjidhjet territoriale.

Në vend të kësaj, ai kërkon “bosnjëzimin” e Kosovës: një entitet autonom serb brenda Republikës sonë për ta bërë Kosovën një shtet jofunksional, por sigurisht nuk ia arriti: Nuk ka ndarje të Kosovës”, deklaroi Kurti.