Zyrtarja e BE, sherr me kryeministren e Serbisë Bërnabic

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon është përplasur publikisht me kryeministrin serbe, Ana Brnabic,e cila e akuzoi më herët në Twitter se eurodeputetja e konsideron sundimin e ligjit një gjë kur bëhet fjalë për Prishtinën, dhe diçka tjetër në rastin e Beogradit.

Çfarë po na thoni, të shtijmë mbi njerëzit për të treguar respekt, si në rastin e Prishtinës? Se serbët në Kosovë e Metohi, nuk kanë të njëjtat të drejta si qytetarët në cdo vend tjetër? Serbët zbritën nëpër rrugë për të protestuar paqësisht. ROSU qëlloi drejt tyre dhe ishte thjeshtë fat që nuk u vra njeri, shkruante Brnabic, që e quajti Von Cramon hipokrite.

Ajo nuk vonoi t`i përgjigjej. “Sundimi i ligjit ka të bëjë me trajtimin e barabartë për të gjithë para ligjit, qoftë në Loznicë, Mitrovicë Veriore apo Gjermani. Unë gjithmonë do t’i mbroj të drejtat civile dhe të njeriut pavarësisht nga kombësia e dikujt. Herën tjetër, në vend që të më sulmoni, perpiquni më mirë të flisni me njerëzit tuaj në Nedeljice”, tha Von Cramon.

Eurodeputetja vetëm një ditë më parë kishte vizituar Loznicën dhe fshatin Nedeljice në Serbi, ku po mblidhen firma për tërheqjen e Planit të kontestuar Hapësinor që parashikon ndërtimin e minierës së kompanisë “Rio Tinto”.