Sulmi tragjik në Kosovë, policia me deklaratë zyrtare: Autobusi u qëllua me kallashnikov

Policia e Kosovës ka publikuar një deklaratë zyrtare në lidhje me masakrën e Gllogjanit, ku 3 persona, mes të cilëve 2 nxënës shkolle, mbetën të vrarë, teksa ishin duke lëvizur me një autobus.

Sipas policisë, autobusi është sulmuar me armë zjarri që dyshohet të jetë kallashnikov AK-47.

“Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Më herët, ka reaguar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmetaj, i cili u shpreh se janë dy-tri pista ku është duke u punuar për zbardhjen e krimit të rëndë.

“Policia është këtu. Aktualisht i kemi dy ose tri pista në të cilat jemi duke punuar. Fatkeqësisht nuk mund të japim detaje sepse në pistat në të cilat po punojmë janë në fazë fillestare. Jemi duke punuar në dy ose tri drejtime, ku i kemi dyshimet me bazë të caktuar, por është herët të themi se kemi person/a të dyshimtë”.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, ka thënë se policia, tani për tani, nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terrorist. Sipas tij, policia ka arsye për të besuar se “sulmin e ka kryer një person i vetëm”.