100 minuta protestë, mbyllet paqësisht/ Turma përcjell Berishën deri në shtëpi, forcat e policisë largohen nga Kryeministria

Është mbyllur paqësisht protesta e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër vizitës së Presidentit serb Aleksandar Vuçiç në kuadër të “Open Balkan” dhe kundër korrupsionit qeveritar, që mori shkas nga afera e inceneratorëve.

Ka zgjatur rreth 100 minuta tubimi, i nisur nga selia e PD në orën 16:20 dhe më pas përfunduar para Kryeministrisë, ku një pjesë e përfaqësuesve mbajtën dhe fjalime. Protesta u mbyll në orën 18:00 me fjalimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili më pas është përcjellë nga protestuesit deri pranë shtëpisë së tij.

Gazetarja Klodiana Lala ka ndjekur hap pas hapi largimin e Berishës, i cili ka folur për News24, duke deklaruar se protestat do të vijojnë.

Me largimin e protestuesve, gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se janë larguar dhe forcat e policisë, të cilat gjatë protestës kanë qëndruar pothuajse të padukshme dhe janë shfaqur një numër i vogël efektivësh.

Nga selia e PD, aty ku nisi protesta gjithashtu gazetari Osman Stafa raportoi një situatë të qetë, teksa kreu i PD-së Lulzim Basha vijoi të qëndronte në seli, ku kishte pasur dhe një takim të grupit parlamentar.